Gjakun tonë ne nuk e shesim,
ia falim flamurit!
Osman Toçi ishte i bindur për qëndrimin e vendosur kundërshtues të Shahinit ndaj pushtuesit dhe, për më tepër, kishte mësuar që ai ndiqej nga shërbimet e fshehta italiane. Megjithatë, shpresonte se në dy muajt e mbetur, deri në përfundimin e specializimit, gjërat do të shkonin mirë dhe Shahini do të kthehej në Shqipëri. Hapësirat komunikuese me të ishin eliminuar. Kishte ditë që ai nuk kishte marrë asnjë letër, asnjë lajm. Por, në ditët e para të qershorit, erdhi një lajm në Burrel e prej atje në Urxallë. I rëndë kishte qenë ai lajm. Peshën e tij nuk kishin mundur ta mbanin as disa prej burrave të krahinës, të cilët heshtnin kobshëm atë buzëmbrëmje rrugës për në shtëpinë e Osman Toçit. I kishte pritur në oborr dhe u kishte prirë brenda. Të ulur shesh rreth oxhakut, burrat përsëri kishin heshtur. – Të rëndë e paski hijen e fjalët ju paskan sosur, burra! – u ishte drejtuar i zoti i shtëpisë. E kishte ndjerë mandatën që do t’i jepnin ata burra, ndaj nuk kishte pranuar as të ëmën, as të shoqen, as dy djemtë në dhomë. Kafenë po e piqte vetë. – Flisni, bre burra, po ju pres! – Piqe të fortë kafenë, Osman Toçi! – kishte thënë njëri prej burrave. – Të fortë jam mundue me e pjek përherë, or ti! Fol, se boll të kam prit! – Kryet shëndoshë për Shahinin, Osman Toçi! – kishte ngritur zërin bashkëfshatari. Osman Toçi kishte lëvizur nga vendi dhe mjekra i ishte dridhur lehtë. – Mos, bre burrë, se m’i këpute krahët, – kishte thënë, duke vështruar me sytë e përlotur bashkëfshatarin e tij. – Mbahu Osman Toçi, mos u ligështo! Ti që u ke qëndruar para plumbave, qëndro dhe sot! – Është i bardhë plumbi, or ti, po ky lajm më vrau e po më lë gjallë. Po si vdiq, a s’po më thoni? – Si burrat! Të bardhë e pat vdekjen. – Kush ma vrau djalin, burra? – Fashistët… E vranë se nuk u betua për flamurin e tyre. – Heu! Shumë paskan lyp të zeztë prej Shahinit! – kishte thënë Osman Toçi, duke vështruar çiftelinë e të birit të varur në mur dhe lotët i kishin zbritur mollëzave të kërcyera. Mortja qëndroi e kobshme si vetë emri i saj mbi shtëpinë e Osman Toçit, mbi Urxallë, mbi krahinën e Prellit e mbi Mat për shumë dit e net. Dhe nuk u mbyll as në të shtatën dit, as në të shtatën javë. Për dy muaj rresht dera e Osman Toçit në Urxallë qëndroi e hapur. Njerëzit nuk sosën së ardhuri. Erdhën nga çdo fshat i Matit, nga fshatrat e Mirditës dhe Dibrës. Pesha e dhimbjes kishte qenë e rëndë për prindërit dhe të afërmit e Shahin Toçit. E kishin përcjellë të dashurin e tyre me gëzim e krenari për në Itali, me shpresë se do t’u kthehej si përherë buzagaz. Por ai nuk ishte kthyer as i gjallë e as i vdekur. Ata nuk kishin mundur t’i vinin dorën në ballë e as t’i hidhnin një dorë dhè mbi varr. Gjatë dy muajve Osman Toçi bëri çdo përpjekje për ta sjellë trupin e të birit që të prehej në vendlindje, por pushtuesi, vrasësi i të birit, nuk i dha asnjë mundësi. Në krye të dy muajve e lajmëruan se mund të merrte vetëm rrobat, materialet dhe objektet e të birit. Ky lajm sikur ia lehtësoi pak plagën. Të paktën, do të kishte mundësi të ngushëllohej disi. Gjatë dorëzimit të materialeve, kur oficeri fashist i ka kërkuar Osman Toçit të bënte gati dokumentacionin për t’i lidhur pension për “humbjen” e të birit, Osman Toçi është përgjigjur: – Zotni, nuk kam ardhur këtu të shes gjakun e djalit tim. Gjakun tonë ne nuk e shesim, ia falim flamurit.
Përpjekjet e familjes së Shahin Toçit për të sjellë në atdhe eshtrat e të birit nuk reshtën, por zhvillimet e mëvonshme që i përkasin viteve të luftës kundër fashistëve italianë dhe nazistëve gjermane, i bënë dhe më të pamundura këto përpjekje. Pas çlirimit të vendit, familja e Shahin Toçit dhe populli i krahinës, kërkoi me insistim vlerësimin nga organet shtetërore në rreth e në qendër të veprimtarisë patriotike të Shahin Toçit dhe sjelljen e eshtrave në atdhe. Në vitin 1961, em dekret nr. 3238, datë 20.03 Shahin Toçi dekorohet me “Urdhërin e Trimërisë”. Nëntë vjet më vonë, më 15 tetor 1970, Shahin Toçi shpallet dëshmor i atdheut. Tani jo vetëm familja Toçi, jo vetëm Urxalla, por gjithë matjanët e ndershëm e patriotë të vërtetë shpresonin e kërkonin nga shteti shqiptar për të vënë në rrugën e zgjidhjes dhe sjelljen e eshtrave të dëshmorit në atdheun për të cilin dha jetën. Mati krenohej me të drejtë me qëndrimin burrëror e patriotik të djalit të tij. Më 10 shkurt 1994, dekorohet nga Presidenti i Republikës me “Urdhërin e Flamurit Kombëtar Kl I-rë” me motivacioni : “ ATDHETAR I SHQUAR, SAKRIFIKOJ JETËN NË LUFTË PËR LARTËSIMIN E KOMBIT”. Ndërsa më 25 mars 2011 dekorohet nga Presidenti i Republikës me “Medalajen e Artë të Shqiponjës”, me motivacionin: NË NDERIM TË THELLË TË AKTIT TË LARTË QYTETAR DHE PATROTIK PËR KUNDËRSHTIMIN PËR TU BETUAR SI USHTARAK, PARA FLAMURIT FASHIST ITALIAN, NË MAJ TË VITIT 1939, ÇKA DO TI KUSHTONTE JETËN MË PAS, POR QË DO TË MBETEJ NDËR SHEMBUJT GJITHNJË FRYMËZUES TË DINJITETIT DHE ATDHEDASHURISË”., dekoratë e dhënë gjatë ceremonisë së kthimit të eshtrave të patriotit në atdhe pas 72-vitesh, dorëzuar familjes së Shahin Toçit.