Në bazë të përzgjedhjes së bërë nga sektori ushtarak për arsimimin e mëtejshëm të studentëve, që kishin kryer studimet në shkollat ushtarake, në tetor të vitit 1937, iu dha e drejta për kryerjen e studimeve akademike në Modena 34 studentëve. Ndër të parët, ishte dhe Shahin Toçi. Studentët shqiptarë të regjistruar në vitin 1937 në Akademinë e Këmbësorisë dhe Kavalerisë në Modena, nisën studimet në dy kurse: “Audacia” dhe “Impero”. Në kursin e tetëdhjetë, “Audacia”, u regjistruan njëzetë studentë shqiptarë. Të njëzetë studentët shqiptarë u inkuadruan në kompaninë e parë, të dytë dhe të tretë. Shahin Toçi u regjistrua në kompaninë e tretë. Që në fillim të vitit akademik, ai u kushton një rëndësi të madhe leksioneve dhe ndjek me kujdes të gjitha seancat teorike dhe praktike. Pas marrjes së leksioneve në lëndë të ndryshme, studion rregullisht mbi temat e drejtimeve shkencore dhe librat e specialitetit të tij duke zgjeruar kështu horizontin e njohurive përmes leximit të literaturës plotësuese. Në përfundim të kohës së parë të studimeve, si rezultat i një pune të organizuar mirë e në vijueshmëri, Shahini e kalon sezonin e parë të provimeve, duke treguar para komisioneve një përgatitje të lartë teorike-shkencore dhe praktike. Mbi këtë bazë, ai do të nis dhe fazën e dytë të studimeve akademike. Në të gjitha provimet që dha, Shahin Toçi u paraqit shumë mirë. Pas përfundimit me sukses të vitit akademik 1937-1938 ai diplomohet në Akademinë e Këmbësorisë dhe Kavalerisë së Modenas.