Mund të ndërrohen dhe uniformat,
por flamuri jo; atdheu mbetet po ai!
Mjerë kush nuk e kupton këtë
dhe e tradhëton flamurin e atdheut të tij!
Ne i biem në gjunjë vetëm flamurit tonë,
vetëm shqiponjës tonë i falemi.

Fashistët filluan të mendonin për të organizuar veprimtari të ndryshme që kishin për qëllim zbehjen e revoltës që po ziente në gjokset djaloshare të oficerëve dhe studentëve shqiptarë dhe bindjen e tyre për t’i kthyer në kontigjente të fashizmit. Qëllimi final i fashistëve ishte që studentët dhe oficerët shqiptarë t’u bashkoheshin trupave pushtuese në Shqipëri, të cilat nuk ishin pritur me lule, siç kishin shpresuar dhe propaganduar ata, por me grykën e pushkës dhe me qëndresë të pa imagjinueshme. Me fillimin e muajit maj, autoritetet drejtuese të shkollave ushtarake shpalosën haptazi para studentëve fillimin e përgatitjeve për betimin para flamurit italian. Me një qëllim tejet të paracaktuar, kjo veprimtari ishte planifikuar me ngut nga qeveria dhe Ministria e Luftës italiane që me zbarkimin e trupave fashiste në Shqipëri. Përfshirja e ushtarakëve shqiptarë në këtë ceremonial betimi, sipas autoriteteve fashiste, veç të tjerash, do të nënkuptonte miratimin e “zbarkimit” të tyre. Falë veprimtarisë patriotike të oficerëve dhe studentëve më aktivë, kundërshtarë të deklaruar të pushtimit fashist, studentët shqiptarë e kuptuan se autoritet italiane, me anën e kësaj veprimtarie, kërkonin t’i bënin palë në pushtimin e atdheut të tyre. Oficerët specializantë në Romë e në qytete të tjera italiane u bënë koordinuesit e veprimtarisë së studentëve në qytetet e ndryshme të Italisë. Si ish-student i Akademisë së Këmbësorisë dhe Kavalerisë së Modenas, Shahin Toçi filloi të takohej më shpesh me grupet e studentëve në Modena. Në një nga ditët e fundit të muajit maj 1939, nga autoritetet fashiste, nën kujdesin e nënsekretarit të shtetit për Luftën, u organizua një ceremoni parabetimi. Atë ditë, nënsekretari i shtetit për Luftën, që kishte zënë vend mes oficerëve dhe autoriteteve të tjera, ndërsa qëndronte para kuadrateve ushtarake, ndali vështrimin mbi njërin prej oficerëve shqiptarë. Nuk priti t’i jepnin shpjegime të gjata: zbriti shkallët dhe bëri me hap të shpejtë drejt kuadratit mbi të cilin ishte ndalur pak më parë vështrimi i tij i vrenjtur. Pas e ndoqën disa nga oficerët e tij. Ende pa ndalur ecjen nervoze, pyeti oficerin shqiptar: – Po ju? Djaloshi shqiptar, që në uniformën e tij kishte hedhur një shirit kuq e zi, foli: – Zoti gjeneral, oficeri shqiptar Shahin Toçi! – Ç’do të thotë kjo?! Ç’është kjo uniformë! – Unë jam shqiptar, zoti gjeneral dhe kjo është uniforma e shtetit tim. Gjenerali qeshi hidhur. – Ç’vlerë ka ajo uniformë? Tashmë mbreti juaj ka rënë. Ju tani keni fatin të mbani një uniformë të madhe, atë të Mbretërisë së Madhe të Italisë, pa atë shirit kuq e zi mbi të. Oficeri shqiptar ndjeu gjakun t’i pulsonte me forcë, por u përmbajt. – Gaboheni, zoti gjeneral! Mbretërit edhe mund të bien, mund të ndërrohen dhe uniformat, por flamuri jo; atdheu mbetet po ai, zoti gjeneral! Mjerë kush nuk e kupton këtë dhe e tradhton flamurin e atdheut të tij! – ngriti zërin oficeri shqiptar duke u kthyer nga shokët e tij.

Më pas, përmes një fjalimi për fuqinë ushtarake dhe ekonomike të Italisë fashiste, gjenerali u mundua të bindte ushtarakët shqiptarë se zbarkimi i trupave në Shqipëri bëhej për ruajtjen e pavarësisë së saj, bashkimin e trojeve shqiptare dhe zhvillimin ekonomik e shoqëror të Shqipërisë. Ai u kujtoi më pas ushtarakëve shqiptarë se betimi ceremonial ishte për ta, para së gjithash, një detyrë. Pas fjalës së tij, njëri nga oficerët italianë lajmëroi se të nesërmen paradite do të niste ceremonia e betimit ushtarak. Të nesërmen kuadratet u rreshtuan përsëri. Para studentëve dhe oficerëve shqiptarë, njëri nga oficerët madhorë italianë lexoi formulën e betimit, por ushtarakët shqiptarë nuk u përgjigjën. U krijua një heshtje e tensionuar. Oficeri fashist hodhi një vështrim mbi kuadratet ushtarake dhe nisi të lexojë me zë të lartë. 

Përsëri heshtje. Atëherë gjenerali zbriti shkallët, qëndroi përpara kuadratit dhe thirri kërcënueshëm: – Lo giurate voi? Priti një përgjigje, qoftë dhe kundërshtuese, vetëm të mos qëndronte para asaj heshtje. I dukej se po fundosej i gjallë në atë ftohtësi drithëruese. E ndjeu se po i sosej përfundimisht durimi. – Betohuni! – më shumë klithi se sa thirri dhe priti një çast si i ngurtësuar. Në atë çast doli nga rreshti oficeri shqiptar Shahin Toçi dhe, me vështrimin e palëvizur mbi fytyrën e gjeneralit, tha: – Zoti gjeneral, ne jemi shqiptarë dhe mund të betohemi vetëm para flamurit tonë kuq e zi. Zëri i tij qe i prerë, i lartë dhe kumbues, me një theks të qartë zemërimi. Oficerët italianë shikuan njëri – tjetrin, jo aq të habitur se sa të hutuar.