Po të pyes, moj zanë Urxalle,
Pse t’kanë thanë legjendë shqiptare?
Se mbi shkamb ku prita dritën
Shahin Toçin e kam rritun,
Ja kam falur flamurit t’vetëm
Sa të jetë jeta mos me vdekun.

Matjanët i ngritën këngë birit të tyre flamurtar. Kënga ‘Kjo Shqipëri ka lindur burra’, deri në vitin 1970 e kënduar odave, në përvjetorët e lindjes e të rënies së Shahin Toçit dhe në përvjetorë festash, ushtoi fuqishëm, me një krenari të ligjshme në Urxallë, në Mat e në gjithë Shqipërinë. Kjo këngë, përmes valëve të Radio-Tiranës, i kapërceu dhe kufijtë e Shqipërisë, duke ngritur peshë dhe zemrat e shqiptarëve në mbarë botën. Ajo u bë pjesë e programeve muzikore kushtuar heroizmit të shqiptarëve në shekuj. Kërkesat për këngën ishin të shumta dhe ajo nisi të transmetohej gati çdo javë. Në dëshirën për të dëgjuar dhe kënduar këngën për Shahin Toçin, ndjehej respekti për jetën dhe veprimtarinë e tij të lartë patriotike, sidomos për aktin heroik në mbrojtje të flamurit. Në vitin 1972 e më pas, veprimtaria dhe akti patriotik i Shahin Toçit u pasqyrua dukshëm në Muzeun Historik të rrethit të Matit. Këndi muzeal kushtuar Shahin Toçit u pasurua më tej me objekte e materiale të ndryshme, me kujtime e dëshmi të shokëve të tij dhe me punime biografike nga autorë të ndryshëm. Ata që ndihmuan shumë në pasurimin e këndit muzeal kushtuar dëshmorit, qenë intelektualët, mësuesit, të rinjtë dhe njerëzit e profesioneve të ndryshme, që nuk ishin molepsur nga qëllime të ulta dhe nuk kishin rënë prè e intrigave e pasioneve denigruese. Këta njerëz të ndershëm e realistë e kishin kuptuar se figura e Shahin Toçit i kapërcente përmasat e vlerësimit të dhënë deri në atë moment.

Me kërkesën dhe kontributin e popullit të zonës, intelektualëve dhe të rinisë, specialistëve dhe Muzeut Historik të rrethit, shtëpia e Shahin Toçit në Urxallë u kthye në shtëpi muze. Në çdo 5 maj, në përvjetorë të lindjes e të rënies së dëshmorit, kjo shtëpi e bardhë priti e përcolli vizitorë të shumtë. Edhe në muzetë e fshatrave të Matit u pasqyrua jeta dhe veprimtaria patriotike e dëshmorit. Bashkë me shtëpinë muze në Urxallë dhe këndin muzeal në Muzeun e rrethit të Matit, këto muze, u kthyen në vatra edukimi me ndjenjën e krenarisë kombëtare dhe të dashurisë për atdheun të cilët i shenjtëronte akti i dëshmorit të flamurit.

Gjithashtu, në këtë kohë, shkollës së Mesme të Përgjithshme në Derjan iu dha emri i dëshmorit Shahin Toçi. Ndërkohë, në veprimtaritë e ndryshme kushtuar kësaj figure patriotike, matjanët kërkonin një vlerësim më të lartë të saj, sjelljen e eshtrave të Shahin Toçit në atdhe dhe shpalljen e tij Hero i Popullit. Pas viteve nëntëdhjetë, atëherë kur ndjenja patriotike mori përmasa të reja dhe shqiponja dy krenare valëvitej si asnjëherë tjetër shesheve, nëpër institucione e kudo, të rënët për flamur e liri nisën të përshfaqen në kujtesën e popullit si simbole krenare, më të nderuar se asnjëherë tjetër. Në janar të vitit 1994 Presidenti i Republikës dekoroi me ‘Urdhërin e Flamurit të Klasit të Parë” Shahin Osman Toçin: “Atdhetar i Shquar që sakrifikoi jetën në luftë për lartësinë e Kombit’. Në shtypin shqiptar, në libra me karakter historik e publicistik, gazetarë e historianë, poetë e shkrimtarë, bashkëkohës e veteranë nisën të shkruajnë për jetën dhe aktin patriotik të Shahin Toçit.

Në ditët e finalizimit të qëllimit të tyre, siç tregojnë nipërit e dëshmorit, Shahini dhe Osmani ata patën dhe inkurajimin e institucioneve shtetërore, sidomos përkrahjene e z. Llesh Kola, Ambasador i shtetit shqiptar në Romë dhe miqve italianë drejtues përgjegjës në administratën e varrezave Verano në Romë Ing. Dario Bonani, Maria Longo dhe teknikëve Paolo Xhovangrosi e Silvio Pelikia. Ndërsa kolonel Vinçenco Pikoneze, ushtarak në pension, që ka mbaruar studimet ën Akademinë Ushtarake në Modena, ka vlerësuar lart aktin e akademistit Shahin Toçi, duke admiruar këmbënguljen e rrallë të nipërve të tij për gjetjen dhe kthimin në atdhe të eshtrave të xhaxhait të tyre. Në një nga ditët e para të marsit të vitit 2011, Shahin Islam Toçi, i emocionuar dhe i përlotur ka telefonuar të vëllanë në Tiranë, Osmanin dhe i ka komunikuar mes drithërimave lajmin e gjetjes së eshtrave të xhaxhait të tyre, duke lajmëruar kështu jo vetëm realizimin e amanetit të të parëve të tij, por duke bërë të mundur dhe kthimin në atdhe pas 72-vitesh, të eshtrave të heroit të flamurit Shahin Toçi. Vlerësimet në kohë e gjithnjë në rritje për figurën e Shahin Toçit tregojnë se kur është fjala për bijtë e tij të rënë për liri e flamur, populli nuk harron. Flamuri, si simboli i një kombi, i dinjitetit dhe krenarisë së tij, i përjetëson emrat e heronjve që ranë për të. Shahin Toçi është njëri nga këta heronj, ndaj dhe flamuri kuq e zi nuk e harroi. Flamuri ynë thirri kohë të reja dhe njerëz të rinj, për të sjellë në atdhe Shahin Toçin, që të prehet nën palët e tij.