Dhe dritat u ndezën, po Shahin Toçi nuk u zgjua. Me kokën mbi libër kishte mbetur në ëndrrën e ndërprerë. Kishte kaluar mesnata. Dita e re ishte në të ardhur. Kishin kaluar orët e para të mëngjesit të asaj dite maji, kur para bujtinës mbërritën studentë dhe oficerë shqiptarë. Po asnjëri nuk u lejua të hynte për të shikuar shokun e tyre të vrarë. Qëndruan për disa orë aty me shpresë se do t’i lejonin, por qe e pamundur. Në momentin kur agjentët e policisë sollën një autoambulancë ushtarake përpara bujtinës, ushtarakët shqiptarë u afruan në grup dhe kërkuan trupin e pajetë të shokut të tyre për ta përcjellë në banesën e fundit, në tokën shqiptare. Fillimisht agjentët u sollën ndaj kërkesës së tyre me qetësi, duke u thënë se duhej një kohë më e gjatë dhe një vend me kushte më të përshtatshme për të përfunduar ekspertizën e plotë. Por, kur ushtarakët shqiptarë kërkuan që të merrnin pjesë në shoqërimin e trupit të shokut të tyre, agjentët dhanë urdhër që t’i largonin me forcë. Pasdite, studentët shqiptarë i dërguan në qytetet ku ata studionin, ndërsa disa prej tyre, ata që kishin hedhur në mënyrë demonstrative armët në ditën e provës ceremoniale, i izoluan në burgjet e Italisë. Autoritet italiane i druheshin mbajtjes së tyre në grup pas vrasjes së Shahin Toçit. Ndërkohë, disa nga radiot e ndryshme kishin lajmëruar vrasjen e oficerit shqiptar Shahin Toçi, duke e cilësuar atë si vrasje të qëllimshme për qëndrimin e mbajtur ndaj pushtuesit të vendit të tij. Atë pasdite dhe në paraditen e së nesërmes, studentët dhe oficerët shqiptarë që mbetën në Romë, kërkuan pranë autoriteteve italiane të merrnin pjesë në ceremoninë e varrimit të shokut të tyre. Por as kërkesa më njerëzore e tyre nuk u pranua. Nëpër shkollat italiane, ku studionin ushtarakët shqiptarë, u urdhërua që të mos komentohej vrasja e oficerit shqiptar. Çdo komentim mbi vrasjen e tij do të dënohej rëndë.