Gazeta Sot
Pas 72 vitesh, shpallet “Dëshmor i Atdheut” dhe kthehen për t’u prehur në Mat, vendlindjen e tij, eshtrat e patriotit Shahin Toçi. Në vitin 1939, Shahin Toçi, 25 vjeç, ndiqte shkollën ushtarake në Modena të Italisë. Në ditën e betimit ushtarak përpara flamurit italian ai refuzon të betohet me përulje, duke vënë një shirit të zi. Ndërkohë u bëri thirrje të gjithë studentëve shqiptarë që vazhdonin studimet në këtë shkollë, që të refuzojnë betimin përpara flamurit italian simboli i pushtimit të Shqipërisë në atë kohë. Një veprim i tillë i studentit shqiptar, ngjalli mjaft zemëratë në komandën e lartë ushtarake të shkollës ku 25 vjeçari Toçi ndiqte studimet. Dhe veprimi tejet patriotik i këtij studenti shqiptar nga treva e Matit, nuk u tolerua aspak nga qeveria fashiste e Italisë. Pikërisht në të njëjtën ditë, kur dhe ai refuzoi të betohej si ushtarak përpara flamurit italian, u vra me një plumb mbas koke nga policia. Varrimi i tij u bë në kryeqytetin e Italisë, Romë, ku dhe qëndroi për plot 72 vjet, së fundmi eshtrat u kthyen në Shqipëri dhe u varrosën në varrezat e dëshmorëve në Burrel, në një ceremoni ku merrnin pjesë ministri i Mbrojtjes, deputetet e Matit si dhe drejtues të lartë të ushtrisë shqiptare. Ndërsa presidenti Bamir Topi dekoroi me Medaljen e Artë të Shqiponjës, dëshmorin e atdheut pas vdekjes.
Artikulli i Gazeta Sot