Në bazë të përzgjedhjes së bërë nga sektori ushtarak për arsimimin e mëtejshëm të studentëve, që kishin kryer studimet në shkollat ushtarake, në tetor të vitit 1937, iu dha e drejta për kryerjen e studimeve akademike në Modena 34 studentëve. Ndër të parët, ishte dhe Shahin Toçi. Studentët shqiptarë të regjistruar në vitin 1937 në Akademinë e Këmbësorisë dhe Kavalerisë në Modena, nisën studimet në dy kurse: “Audacia” dhe “Impero”. Në kursin e tetëdhjetë, “Audacia”, u regjistruan njëzetë studentë shqiptarë. Të njëzetë studentët shqiptarë u inkuadruan në kompaninë e parë, të dytë dhe të tretë. Shahin Toçi u regjistrua në kompaninë e tretë. Që në fillim të vitit akademik, ai u kushton një rëndësi të madhe leksioneve dhe ndjek me kujdes të gjitha seancat teorike dhe praktike. Pas marrjes së leksioneve në lëndë të ndryshme, studion rregullisht mbi temat e drejtimeve shkencore dhe librat e specialitetit të tij duke zgjeruar kështu horizontin e njohurive përmes leximit të literaturës plotësuese. Në përfundim të kohës së parë të studimeve, si rezultat i një pune të organizuar mirë e në vijueshmëri, Shahini e kalon sezonin e parë të provimeve, duke treguar para komisioneve një përgatitje të lartë teorike-shkencore dhe praktike. Mbi këtë bazë, ai do të nis dhe fazën e dytë të studimeve akademike. Në të gjitha provimet që dha, Shahin Toçi u paraqit shumë mirë. Pas përfundimit me sukses të vitit akademik 1937-1938 ai diplomohet në Akademinë e Këmbësorisë dhe Kavalerisë së Modenas.
Serioziteti dhe këmbëngulja e tij e admirueshme u bënë shembull dhe për studentët e tjerë shqiptarë. Shahin Toçi u kthye në atdhe në vitin 1938. Pas disa ditëve qëndrimi në vendlindje thirret nga Ministria e Mbrojtjes, në të cilën punon disa javë. Puna e tij në këtë ministri nuk zgjati shumë, pasi shteti shqiptar do ta dërgonte për specializim pasakademik në Itali. Përgjithësisht, nxënësit dhe studentët ushtarakë manifestonin sjellje që tregonin qëndrime të qarta patriotike. E gjithë kjo vihej re nga pedagogët e ushtarakët italianë. Mes studentëve, Shahin Toçi ishte ndër të parët që krenarisë kombëtare të qenurit shqiptare, i jepte një kuptim shumë të madh.