Në përfundim të Shkollës Mbretërore Ushtarake, Shahin Toçi kishte krijuar fizionominë e një të riu të pjekur, me kulturë të gjerë dhe vetëdije të qartë për domosdoshmërinë e arsimimit e kulturimit në shërbim të atdheut. Mbi këtë domosdoshmëri ai kishte filluar të shprehej edhe në bisedat me shokët, të cilët e respektonin shumë. Koha gjatë së cilës Shahin Toçi ndoqi dhe përfundoi studimet në Shkollën Mbretërore Usharake në Tiranë, qe një periudhë e vështirë ekonomike për gjithë vendin. Këtë periudhë të vështirë ekonomike dhe sociale e kishin ndjerë dhe të rinjtë shqiptarë që vazhdonin studimet në shkollat e ndryshme të vendit. Tashmë ata ishin më të vetëdijshëm për gjendjen që po kalonte Shqipëria dhe rolin e tyre në përballjen me vështirësitë dhe nevojat e vendit. Mes tyre Shahin Toçi dallohej për një qartësi dhe gjykim të shëndoshë mbi situat e krijuara. Te ai nisën të spikatin qartë prirjet e një vëzhguesi të hollë, me një interes të dukshëm ndaj rrjedhjes së ngjarjeve brenda dhe jashtë vendit. Ndiqte me kujdes shtypin e kohës dhe analizonte në këndvështrimin e politikës së atëhershme shqiptare marrëdhëniet e shtetit shqiptar me shtetin e përtej Adriatikut, Italinë fashiste, e cila në ato moment të vështira kishte ndërprerë huatë për Shqipërinë duke kaluar në kërcënime ushtarake. Pas mbarimit të studimeve në Shkollën Mbretërore Ushtarake, në verën e vitit 1934, sipas shënimeve të vetë dëshmorit, Shahin Toçi kthehet në vendlindje. Gjatë kësaj kohe, veç të tjerash, do të mendonte edhe për mundësinë e vazhdimit të studimeve ushtarake jashtë vendit. Intuita, aftësia e një vëzhguesi të hollë, leximet e shumta dhe përballjet e reja ja kishin zgjeruar hapsirat e mendimit për të kuptuar se ekzistonin mundësi dhe më të shumta për studime më cilësore.