Mati, kjo kështjellë madhështore e sajuar bujarisht nga natyra, zë një vend të rëndësishëm në historinë mijëravjeçare të Shqipërisë. Të dhënat arkeologjike, historike dhe kulturore, dëshmojnë për lashtësinë dhe qëndresën patriotike të krahinave të tij. Krahinat e Matit, thuajse gjatë gjithë udhëtimit të vështirë të shqiptarëve në kohë dhe, sidomos në kulmimet historike, i kanë dhënë atdheut prijës të dëgjuar dhe shtetarë të zot, njerëz të pendës e të mendimit. Një ndër këto krahina, ajo e Prellit, ka nxjerrë nga gjiri i saj bij që kanë bërë emër në shërbim të atdheut, kulturimit të tij, lirisë dhe flamurit.
Një ndër ta është padyshim Shahin Toçi, i cili dha jetën në lulen e rinisë për mbrojtjen e simbolit të kombit, flamurit. Shahin Toçi lindi më 15 prill të vitit 1914 në fshatin Urxallë, në një familje të thjeshtë, bujare, punëtore dhe e besës, që brez pas brezi trashëgoi vlera të patriotizmit të vërtetë, duke iu përgjigjur thirrjes së atdheut në çdo periudhë të vështirë të historisë së tij. Praninë e burrave të saj në ngjarjet e shënuara të historisë së Matit e të Shqipërisë kjo familje e ka provuar me gadishmërinëdhe trimërinë e tyre. Stërgjyshi dhe gjyshi i Shahin Toçit, Bajram dhe Stafë Toçi ishin ndër prijësit e lëvizjeve popullore matjane kundër robërisë turke dhe pushtuesve serbë e malazezë. Osmani, babai i Shahin Toçit, mori pjesë në luftimet e matjanëve kundër serbëve në Shkallën e Deshëve dhe iu përgjigj thirrjes së Kuvendit të Bruçit për sulmimin e garnizonit fashist në Burrel në korrik të vitit 1943. Në vijimësi të traditave atdhetare të kësaj familje, vëllai i Shahin Toçit, Dylja, mori pjesë në luftën çlirimtare kundër pushtuesve fashistë e nazistë.